Kukësi fiton në Shkodër duke konfirmuar veten në krye
![vllaznia-kukesi-300x204.jpg](https://static.wixstatic.com/media/7ef686_f8bfc52cc1874f0c8a20cc85d73f3623.jpg/v1/fill/w_300,h_204,al_c,q_80,enc_auto/7ef686_f8bfc52cc1874f0c8a20cc85d73f3623.jpg)
Kukësi e nis 2015-n ashtu siç e mbylli 2014-n. Një fitore me mjaft vlera e arritur në Shkodër përballë një Vllaznie që pavarësisht se u mundua, nuk kishte forcën e nevojshme për të ndalur Kukësin.
Pjesa e parë u hap me një gol të shpejtë. Mbas një goditje këndi, topi devijohet nga Sykaj dhe Pejiç i lirë përballë Selimajt nuk gabon. 0-1 dhe më pas e gjithë pjesa e parë kalon e qetë, pa raste. Ndërkohë pjesa e dytë ka tjetër histori. Në minutën e 59 Lushtaku shënon një supergol nga goditja e dënimit. Më pas Vllaznia fillon të zgjohet dhe të hidhet përpara. Në minutën e 62-të, Vllaznia fiton një penallti të diskutueshme të cilën Shtubina nuk e shndërron dot në gol. Vetëm një minutë më vonë Vllaznisë i anullohet një gol, edhe ky rast mjaft i diskutueshëm. Por këmbëngulja e shkodranëve shpërblehet me gol shumë shpejt. Kalaja në minutën e 65-të shënon një gol mjaft të bukur dhe shkodranët shpresojnë tek arritja e një rezultati pozitiv. Por ritmi i shkodranëve bie shpejt dhe më pas deri në fund takimi i zhvilluar është mjaft i qetë. Në minutën e 89 Pejiç humb një rast të pastër përballë Selimajt dhe takimi mbyllet 1-2.
Kukësi arrin kuotën 41 pikë dhe mban vendin e parë, ndërsa Vllaznia bie në vendin e shtatë me 23 pikë.